Mesazhi i Ministrit të Jashtëm për 3 tetor 2017

Außenminister Sigmar Gabriel Zmadho fotografinë (© Auswärtiges Amt)

Para pothuajse tri dekadave kemi festuar ribashkimin e Gjermanisë dhe tejkalimin e ndarjes së Europës në Lindje dhe Perëndim. Kujtimi për këtë kapërcim të ndarjes i mallëngjen njerëzit gjithandej botës deri në ditët e sotme. Me mirënjojhe e kthejmë kokën nga kjo mundësi historike dhe nga politikanët, të cilët në atë kohë i vunë themelet e ribashkimit: Willi Brandt dhe Helmut Kohl që u nda nga jeta këtë vit.

Kësaj ngjarje i paraprinë disa vjet politikë të relaksimit, të udhëhequr nga Kancelari i atëhershëm federal, Willi Brandt, gjatë të cilave megjithë kontradiktat e sistemeve u arrit një kthesë nëpërmjet politikës së afrimit. Angazhimi i Gjermanisë për një integrim europian, pajtimi me shtetet fqinje dhe braktisja e ambicieve të pushtetit nacionalist krijuan rrethanat për bashkimin e Gjermanisë.

Që nga ribashkimi i Gjermanisë dhe valës së demokracisë e shtetit ligjor që ka përfshirë shumë shtete në mbarë botën, sot gjendemi në një kohë, në të cilën konfliktet e interesave janë duke u bërë gjithnjë e më evidente. Sfidat globale janë shtuar në vitet e fundit: konfliktet gjeopolitike, terrorizmi, lëvizjet e migrimit dhe arratisjes, varfëria dhe uria, si dhe ndryshimet e avancuara klimatike dhe epidemitë po i vënë para detyrave të vështira shoqëritë në mbarë botën.

Ne akoma jemi në kërkim të një „politike të brendshme botërore“, siq e ka quajtur Willi Brandt, të karakterizuar nga një barazi globale, nga fuqia e ligjit dhe tejkalimit të kufijve kombëtarë. Bashkësia ndërkombëtare në dekadat e kaluara ka arritur progres të theksuar; agjenda 2030 për komunitetin ndërkombëtar paraqet një moment me rëndësi, një detyrë dhe njëkohësisht një premtim. Vetëm me veprime të përbashkëta dhe në nivel të barabartë mund të tejkalojmë sfidat globale, siq janë ndryshimet klimatike me pasojat e tyre drastike, thatësirat dhe vërshimet. Edhe zgjidhja e konflikteve dhe krizave rajonale është një detyrë globale; stabiliteti dhe zhvillimi krijojnë perspektiva për jetë.

Asnjë shtet në botë nuk mund t’i zgjidh vetë problemet ndërkombëtare, para të cilave gjendemi. Këto probleme nuk luftohen me izolim, por vetëm së bashku me partnerë të fortë. Në dritën e historisë së tij dhe përvojave të matura në kapërcimin e regjimit totalitar, si dhe ndërtimin dhe forcimin e një shteti ligjor demokratik, vendi ynë iu del ballë këtyre sfidave. Gjermania është e gatshme për të marrë përsipër përgjegjësi në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye Gjermania kandidon për një ulëse jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vitet 2019/2020. Sot ne jetojmë në kohëra sfidash të mëdha, zgjidhja e së cilave do të jetë vendimtare për të ardhmen e njerëzimit dhe planetit. Në të njejtën kohë, ne jetojmë në një botë me diversitet mundësish, të cilat duhen zhvilluar në mënyrë aktive. Dita e Bashkimit të Gjermanisë është një mundësi shumë e mirë për t’u menduar rreth tyre.

Mesazhi i Ministrit Federal për Punë të Jashtme, Sigmar Gabriel, për 3 tetor 2017

Feier zur deutschen Wiedervereinigung