Fjala e Ambasadorit Christian Heldt me rastin e pritjes për përvjetorin e 27. të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë në Vila Gërmia në Prishtinë, më 2 tetor 2017

Botschafter Christian Heldt Zmadho fotografinë (© Deutsche Botschaft Pristina)

-- Vlenë fjala e thënë --

Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,

Nesër do të bëhen 27 vjet që kur Gjermania është bashkuar në mënyrë paqësore. Është ky një përvjetor ngazëllyes, të cilin duam ta festojmë me miqtë dhe partnerët tanë këtu. Bashkëshortja ime dhe unë jemi vërtetë të nderuar dhe të lumtur që aq shumë nga ju e keni pranuar ftesën tonë sonte.

Zonja dhe zotërinj, të dashur bashkatdhetarë,

bashkëshortja ime dhe unë i gëzohemi posaqërisht pranisë aq të theksuar të komunitetit gjerman në Kosovë, pjesëtarët e të cilit na janë bashkuar për të festuar sonte ditën tonë kombëtare. Në mesin tonë këtu sigurisht ka bashkëqytetarë nga pothuajse të gjitha rajonet federale. Kjo është një shenjë e mirë e bashkimit të gjermanëve larg atdheut. Ju dëshiroj mirëseardhje të përzemërt të gjithëve!)

Zonja dhe zotërinj,

Festimi i ditës tonë kombëtare është po ashtu një rast i mirë për t’u tërhequr paksa nga rutina ditore, të cilën e ndajmë me ju dhe për të reflektuar mbi situatat tona në kuptim më të gjerë. Derisa ne, gjermanët kemi një histori të gjatë, në trajtën e tashme ne jemi një shtet i ri me vetëm 27 vjet. Këto vjet nuk kanë qenë pa sfida. Në fakt është dëshmuar se jemi përballuar me shumë më shumë vështirësi, se sa që kanë pritur shumë njerëz, deri sa është arritur të përmbyllet projekti i ribashkimit të Gjermanisë, përtej bashkimit de jure të dy shteteve dhe projekti është duke vazhduar ende.

Ribashkimi i Gjermanisë ka kërkuar përshtatjen me një gamë të gjerë të këndvështrimeve botërore, përvojave dhe interesave  të të dyja pjesëve të Gjermanisë. Sot ne mund ta quajmë sukses ribashkimin e Gjermanisë, për faktin se shumë njerëz nga nivele të ndryshme në vendin tonë janë angazhuar dhe kanë bashkëpunuar fort me njëri-tjetrin për të arritur këtë qëllim. Në rrafshin politik, njerëzit kanë qenë të gatshëm të bëjnë kompromise dhe t’i lënë anash politikat partizane për hir të projektit të përbashkët, bashkimit të vendit tonë. Mirëpo, duhet theksuar që ky projekt do të kishte dështuar, nëse nuk do të ishte përkrahuar nga fqinjët, miqtë dhe partnerët tanë, veçanërisht brenda Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

Kosova është gjithashtu një shtet i ri. Vitin e ardhshëm kosovarët do të festojnë 10-vjetorin e pavarsisë së tyre. Konteksti i pavarësisë së Kosovës është unik dhe nuk mund të krahasohet me ribashkimin e Gjermanisë. Lufta në Kosovë që ka ndodhur vetëm para 18 vjetësh ka shkatërruar shumëçka që është dashur dhe ende duhet të rindërtohet. Ka ende plagë që duhen shëruar në nivel kombëtar dhe rajonal. Unë kam ardhur në Kosovë vetëm para dy javësh, por kam dëgjuar nga aq shumë njerëz për arritjet e jashtëzakonshme që janë bërë nga viti 1999 dhe nga viti 2008. Shumë njerëz në Kosovë kanë punuar dhe po punojnë me zell për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të vendosur mbi themelet e pavarësisë së re.

Megjithatë ka ende sfida të mëdha me të cilat duhet ballafaquar. Siq e ka përmendur Kancelarja Federale Merkel në telegramin e saj të urimit drejtuar Kryeministrit Haradinaj për zgjedhjen e tij, Gjermania mbetet përkrah Kosovës. Ne duam t’ju ndihmojmë në ndërtimin dhe konsolidimin e sundimit të ligjit gjithandej në Kosovë, t’ju shoqërojmë në luftimin e korrupcionit, të nxisim zhvillimin ekonomik, si dhe t’ju mbështesim në një dialog të balansuar me Serbinë.

Nga përvoja jonë në Gjermani unë besoj se konsensusi nacional dhe vullneti për të bërë kompromise mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve fundamentale. Pas një bllokade politike, unë sinqerisht shpresoj që dialogu konstruktiv politik do të vazhdojë dhe do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt prosperimit dhe integrimit euro-atlantik.

Europa ka qenë shpëtimi i Gjermanisë pas shekujve të ndarjeve me fqinjët tanë. Pa pajtimin shembullor në mes të Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, ne nuk do të ishim aty, ku jemi sot. Kjo kërkoi burrështetas të guximshëm me lidership politik dhe kurajo për të kapërcyer klishetë e gjeneratave të kaluara. Deri në ditët e sotme ne jemi dëshmitarë që edhe një shtet i fuqishëm, siq konsiderohet Gjermania, vetë do të ishte vetëm një pikë në oqeanin e globalizimit. Europa është shpresë, është një e mirë e përgjithshme, realitet dhe e ardhme, veçanërisht për gjeneratat tona të reja. Dhe Kosova është Europë dhe do të jetë pjesë e Unionit. Ne po ju presim.

Të gjitha këto çështje mbeten kruciale, në mënyrë për të ndërtuar një shtet prosperues dhe stabil, kështu që të jeni të sigurtë që unë do të angazhohem me gjithë fuqinë time për to, personalisht dhe së bashku me gjithë personelin tim të mrekullueshëm të Amabasadës dhe të gjithë gjermanët e institucionet gjermane në këtë vend. Kur nënshkrova librin e miqësisë para se t’i dorëzoja Presidentit Thaçi letrat kredenciale, unë shkrova që mezi pres t’iu shërbej marrëdhëieve të mira në mes dy vendeve tona. Ashtu si Gjermania në të kaluarën, as Kosova nuk do të mbetet vetë. Gjermania – në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Europian – do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj.

Zonja dhe zotërinj,

dëshiroj të ju drejtohem personalisht me disa fjalë. E përmeda që bashkëshortja ime dhe unë kemi arrdhur në Kosovë vetëm para dy javëve dhe unë ende po njihem me Kosovën dhe me qytetarët e saj. Megjithatë unë dëshiroj të shprehë mirënjohjen time të thellë për mikpritjen e përzemërt që më është bërë në këto dy javë. Bashkë me bashkëshorten time, unë po pres me padurim ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj gjatë viteve të vazhdim. (Në shqip dhe serbisht: Faleminderit! Hvala!)

Mund të shoh shumë nga ju duke i mbajtur gotat e mbushura me pije me ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër, që është Berliner Weisse, ashtu që mund të llogaris që shumë nga ju tashmë e kemi kuptuar temën e pritjes së sivjetme: Berlini.

Berlini është një vend, ku ndarja dhe ribashkimi i Gjermanisë janë ndier më së shumti, pasi Muri i Berlinit e ka ndarë tërë qytetin. Në këtë kontekst rajonal, Berlini në aspektin pozitiv është asociuar me iniciativën me emër të njejtë, e cila e ka ringjallur procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot Berlini përfaqëson një Gjermani moderne, mendjehapur dhe të larmishme. Berlini madje dërgon edhe “ambasadorë” të vetët në botë, të ashtuquajturit “buddy bears” që janë shtatore të ariut në flamurin e Berlinit dhe mund të gjenden jo vetëm në rrugët e Berlinit, por edhe në shumë shtete të ndryshme në mbarë botën. Deri sot, Kosova nuk ka pasur një buddy bear të vetin, por nga sot e tutje një buddy bear do të qëndrojë para ambasadës tonë.

Znj. Arta Rudaku, një studente e artit në Universitetin e Prishtinës, ia ka kushtuar javët e kaluara pikturimit të buddy bear-it kosovar. Disejni i saj i gjallë dhe i ndritshëm tregon çfarë resursi me vlerë paraqet rinia e Kosovës për vendin. Arti ndërton ura, siq shihet në disejnin e ariut dhe i lidh simbolikisht dy vendet tona nëpërmjet pullave. Ajo ka punuar shumë: në disa mbrëmje, kur vonë jam kthyer nga takimet zyrtare, Arta ka qenë akoma duke punuar në studion e improvizuar poshtë rezidencës gjermane. Unë e admiroj kreativitetin dhe disciplinën me të cilën punojnë të rinjtë në përpjekje për t’i arritur qëllimet e tyre, të rinjtë kosovarë duan t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Pasi tashmë është bërë simbol në mbarë botën për atë që Berlini dhe Gjermania nuk janë larg, shpresoj që këtu, në Kosovë ai nuk do të qëndrojë vetëm fizikisht para Ambasadës Gjermane.

Unë do të dëshiroja që ai të bëhet edhe simbol i shpresës që posaqërisht të rinjët kosovarë të kenë mundësi t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Ne të gjithë duhet t’i mbështesim ata në këtë çështje. Për shembull: shpresoj që politikanët e Kosovës së shpejti do t’i përmbushin obligimet nga udhërrëfyesi  i vizave, ashtu që sidomos rinia sa më shpjetë të mund të udhëtojë më e lirë në Europë.

Tani, ju lutem, më lejoni t’jua prezantoj buddy bear-in e Kosovës, një simbol të miqësisë gjermano-kosovare. Dhe t’i japim një duartrokitje të madhe Arta Durakut.

Para se t’ju ftoj për të shijuar ushqimet e mrekullueshme të Vila Gërmisë, si dhe disa specialiteteve berlineze, si “Currrywurst”, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për sponzorët e ngjarjes së sontme: Jaha Group dhe Baki Automobile. Pa mbështetjen e tyre, kjo ngjarje nuk do të kishte qenë e mundshme.

Kjo vlenë edhe për Pro Credit Bank-ën që ka dhuruar mjetet e çmimit për pikturimin e buddy bear-it. Por jo vetëm kaq: Pro Credit Bank-a ka qenë edhe një mbështetëse e madhe e Pyllit të Arinjve, duke ndihmuar arinjtë e vërtetë në Kosovë.

Një falënderim të veçantë ia kushtoj  Orkestrës së Korpusit të Forcave Ajrore gjermane, tingujt e së cilës po i dëgjojmë sonte. Ju faleminderit për shfaqjen!

Dhe në fund, por jo më pak të rëndësishëm, dëshiroj t’i shpreh një falënderim veçanët ekipit tim të mrekullueshëm në Ambasadën Gjermane në Prishtinë për përgatitjen e gjithë kësaj, si dhe personelit të Vila Gërmisë  për përkushtimin dhe punën e vështirë që ka bërë për t’u siguruar që ne të kalojmë një mbrëmje të këndëshme së bashku.

Edhe një herë, mirë se keni ardhur dhe ju lutem ngrini gotat me mua në dolli të miqësisë gjermano-kosovare!